Një marrëveshje me talebanët?


Prej 30 vjetësh Afganistani projekton një hije të gjatë dhe të errët mbi ngjarjet e të gjithë botës, por ky 30-vjeçar ka qenë gjithashtu i shënuar nga episode vendimtare që mund të kishin qenë fidanishte paqeje dhe deri të ndryshonin kursin e historisë botërore. Një prej episodeve të tilla ndodhi në shkurt të 1989, atëherë kur trupat e fundit sovjetike ishin duke lënë Afganistanin. Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik, Edvard Shevarnadze, shkoi në Islamabad dhe ishte hera e parë që një eksponent i lartë sovjetik vizitonte Pakistanin. Bëhej fjalë për një mision in extremis për të bindur kreun e qeverisë, zonjën Benazir Bhutto, pse jo dhe ushtrinë dhe Inter-Service Intelligence (ISI), që të binin dakord lidhur me një ndarje të përkohshme të pushtetit midis regjimit komunist afganas të Kabulit dhe muxhahedinëve afgan. Shevarnadze shpresonte që të shmangte një luftë civile dhe të hidhte bazat për një transferim politik të pushtetit politik ndaj këtyre të fundit.
Në këtë pikë sovjetikët qenë në një gjendje paniku frike. Ironi e fatit, ata ndanin tezën e analistëve të CIA-s, sipas së cilës Presidenti afganas Mohammad Najibullah do të mund të qëndronte në pushtet vetëm pak javë pas largimit të trupave sovjetike. Ama CIA e kishte bërë një gabim trashanik: Najibullah ishte destinuar të qëndronte në pushtet për tri vjet të tjera, domethënë derikur shpërthimi i luftës civile do ta shtrëngonte që të kërkonte strehim pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në prill të 1992. Kështu ISI refuzoi që ta pranojë këshillën e Shevardnadze. Qëllimi i tij ishte që të instalonte në pushtet në Kabul Gulbuddin Hekmatyar, të përkëdhelurin kryesor të tij midis liderëve islamikë. Veç kësaj, CIA e kishte nxitur ISI-n që t'u qëndronte fort sovjetikëve - për t'u hakmarrë për poshtërimin e pësuar në Vietnam dhe për të realizuar një humbje totale komuniste në Kabul, pa i marrë parasysh kostot në jetë njerëzish midis afganasve që do të sillte një gjë e tillë. Me pak fjalë, një kompromis politik nuk qëndronte në planet e veprimit të ISI-t dhe të CIA-s.
U ftova që ta takoja Shevardnadze një mbrëmje në orë të vonë dhe kujtoj një njeri, përveçse të frustruar, dukshëm i tërbuar prej miopisë së Pakistanit dhe të Shteteve të Bashkuara, pse jo dhe prej dëshirës së dukshme të këtyre dy vendeve për ta poshtëruar Moskën. Ky njeri, që nuk ishte fare në vete, më paraqiti një vizion apokaliptik të asaj që mendonte se ishte e ardhmja e të gjithë skakierës që përfshinte Afganistanin dhe Pakistanin. Parashikimet e tij për dhunën e ardhshme do të rezultonin të sakta.
Në atë moment vendimtar, sikur të ishte pranuar kompromisi i propozuar nga Shevardnadze, do të mund të ishin shmangur 10 vjet luftë civile, shkatërrimi i Kabulit dhe ngritja e talebanëve, duke shmangur gjithashtu që këta t'i ofronin vendstrehime al Qaedas. Ndoshta mund të ishte shmangur masakra e Kullave Binjake dhe, për pasojë, shumë prej fatkeqësive të mëpasme, përfshi tentativën e një kamikazi nigerian për të hedhur në erë një avion në fluturim për Detroit, vrasja e 7 efektivëve të CIA-s në një bazë afganase dhe humbjet e vazhdueshme në jetë njerëzish midis ushtarakëve NATO dhe civilëve afganas.
Në vijim të planit shumë të rrezikshëm dhe kontradiktor të Presidentit Obama, që parashikon të rriten kontingjentet e trupave amerikane në Afganistan dhe më pas - pas 18 muajsh - të fillohet të çmobilizohen, të gjitha vendet dhe të gjithë liderët e skakierës kanë përpara vetes një dilemë të re vendimtare. Posti në lojë është të përcaktohet nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të gatshëm për të bërë traktativa me talebanët afganas, duke qenë se nuk ka në horizont asnjë fitore eventuale në terren, as nuk shikohet ndonjë mënyrë tjetër për t'i dhënë fund luftës që zgjat tashmë prej 30 vjetësh.
Kur do të vijë momenti për të vendosur - dhe herët a vonë do të vijë patjetër - Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja a do të jenë të gatshëm të bëjnë traktativa me talebanët apo të jenë të përçarë, në brendësinë e tyre, siç janë sot? Do të ketë Presidenti Hamid Karzai besueshmërinë e nevojshme për të marrë pjesë në traktativa dhe të arrijë marrëveshjen e shpresuar? Dhe ISI, nga ana e tij, do të kërkojë apo jo që të përkëdhelurit talebanë të kthehen në pushtet? Do të jenë fajkojtë talebanas - të cilët tashmë ndjejnë aromë fitoreje - të gatshëm nga ana e tyre që të marrin pjesë në traktativa dhe, për pasojë, ta braktisin al Qaedan? Apo do të hezitojnë për 18 muaj në pritje që amerikanët të fillojnë të largohen?
Talebanët afganas përbëjnë tashmë një lëvizje të rrënjosur në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2009, ata kanë hedhur rrënjë në rajonet e Veriut dhe të Perëndimit deri dje të qeta. Drejtuesit e tyre kanë vendstrehime të sigurta në Pakistan. Humbjet e jetëve njerëzore janë rritur gramatikisht nga të gjitha anët. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 2009 janë kryer mesatarisht çdo muaj 1200 sulme nga ana e talebanëve dhe e grupeve të tjera rebele, me një rritje prej 65 përqindësh respektivisht 2008. Në 12 muaj, janë vrarë 2412 civilë afganas (+ 14 përqind) dhe dy të tretat janë vrarë nga bashkëkombasit talebanë (+ 40 përqind). Humbjet njerëzore të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në luftime janë rritur me 76 përqind, duke i rritur nga 295 në vitin 2008 në 520 në vitin 2009.
Vështirësitë me të cilat ndeshet qeveria afganase nuk bëjnë gjë tjetër veçse të rriten nga viti në vit. Në provincat jugore, në masë të madhe të kontrolluara nga talebanët, është gjithmonë e vështirë të rekrutohen efektiva për ushtrinë dhe policinë midis njerëzve me etni pashtune, pavarësisht rritjes së pagave. Veç kësaj, talebanët kanë arritur të infiltrojnë në ushtri e polici, mbi të cilat mbështeten sidomos Shtetet e Bashkuara, për të realizuar planin e tyre të veprimit që synon t'ua dorëzojë tërësisht pushtetin forcave lokale brenda korrikut 2011. Në zona të mëdha të Afganistanit, programet e zhvillimit kanë ngecur dhe pothuajse gjysma e personelit të Kombeve të Bashkuara të caktuar për Afganistanin është transferuar në Dubai dhe në Azinë Qendrore për shkak të frikërave lidhur me sigurinë.
Sipas Gjeneralit Michael Flynn (shefi i shërbimeve të inteligjencës të NATO-s në Afganistan), talebanët kanë emëruar guvernatorë - hije në 33 provinca nga 34 të tilla. Ata kanë detyrën që të organizojnë lëvizjen në provinca të ndryshme dhe aty të bllokojnë iniciativat e qeverisë. "Një lëvizje e tillë mund ta mbështesë vetveten pafundësisht", ka thënë Flynn dhe e ka përcaktuar intelligence service amerikan në Afganistan si të "privuar nga të dhënat" dhe "injorant".
Komandantët talebanë kanë çuar përpara fushatën e tyre perverse të finalizuar për të vrarë apo frikësuar ata civilë afganas që punojnë për qeverinë Karzai, për agjencitë e ndihmave dhe deri për Kombet e Bashkuara, pse jo dhe për grupet femërore. 18 janarin e kaluar, disa militantë kanë kryer një sulm të dyfishtë vetëvrasës pak metra larg nga pallati presidencial, në qendër të Kabulit, duke provokuar një shkëmbim zjarri në të cilin kanë humbur jetën 3 ushtarë dhe 2 civilë, ndërsa 79 të tjerë kanë mbetur të plagosur. "Kemi arritur tashmë në një pikë kritike... Situata nuk mund të vazhdojë kështu nëqoftëse duam të kemi sukses në Afganistan", ka deklaruar kohët e fundit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban-Ki-Moon, në Këshillin e Sigurimit dhe ka shtuar: "Ekziston rreziku që situata, në kompleksin e saj, të përkeqësohet deri sa të bëhet e pakthyeshme".
Teza mbizotëruese në Washington është se shumë luftëtarë talebanë të vijës së parë mund të shtyhen që të dezertojnë, por ofensiva aktuale e trupave amerikane duhet që fillimisht t'i detyrojë të tërhiqen, duke i kthyer në humbje sukseset e tyre dhe duke marrë kontrollin ndaj popullsisë, të qendrave të banuara dhe të rrugëve kryesore. Në bazë të strategjisë aktuale amerikane, forcat e armatosura duhet t'i dobësojnë talebanët përpara se të hyjnë në negociata me ta.
Gjenerali Stanley McChrystal (komandant i përgjithshëm i forcave amerikane dhe të Kombeve të Bashkuara) disponon një fond special prej 1 miliard e gjysëm dollarësh të destinuar për dhënien e stimuluesve dhe formave të tjera të mbështetjes atyre talebanëve që dorëzojnë armët. Është pastaj një bërthamë oficerësh amerikanë dhe anglezë që po përgatisin plane veprimi për të bindur që të dorëzohen komadantë dhe të zëvendësve të tyre sapo ofensiva në vazhdim do t'i përmbyste fatet në fushën e betejës në favor të amerikanëve.
Në Islamabad, në ditët e para të janarit, Gjenerali McChrystal më ka thënë se është i bindur që në betejë shumë talebanë mund të nxiten që të dezertojnë. Një përpjekje e tillë pajtimi do të kryesohet nga Karzai, i cili prej vitesh mëshon për bisedime me krerët talebanë.
Kriza aktuale mund të shikohet në mënyrë tjetër. Pavarësisht sukseseve të tyre, talebanët janë ndoshta afër apogjeut të pushtetit të tyre. Ata nuk kontrollojnë qendrat urbane më të populluara, as mund t'i kontrollojnë nga ana tjetër, duke pasur parasysh forcën ushtarake dhe supremacinë ajrore të NATO-s. Nuk regjistrohen rebelime populiste në fshatra kundër forcave të NATO-s, siç ka ndodhur në Irak kundër forcave të koalicionit. Pjesa më e madhe e afganasve nuk e do kthimin e regjimit taleban, pavarësisht antipatisë së madhe ndaj qeverisë Karzai dhe pakënaqësisë së përgjithshme prej tentativës së dështuar ndërkombëtare për t'i siguruar vendit përparimin ekonomik. Shumë afganas mendojnë se deri kur trupat perëndimore do të qëndrojnë në Afganistan, ka shpresë që siguria mund të rivendoset dhe jetët e tyre të ndryshojnë për mirë. Kështu që muajt e ardhshëm mund të ofrojnë një rast të shkëlqyer për t'i bindur talebanët se ka ardhur momenti i përshtatshëm për të negociuar një marrëveshje, pasi që ata sot janë në maksimumin e forcës së tyre.
Si Gjenerali McChrystal, ashtu dhe Gjenerali David Petraeus (shefi i CENTCOM-it amerikan), kanë thënë se nuk janë në gjendje ta "arrijnë fitoren duke luftuar". Obama është i vendosur në mënyrë të deklaruar që ta shpartallojë al Qaedan, por është i gatshëm që të bjerë në ujdi me ata talebanë që heqin dorë nga dhuna - siç ka thënë nëntorin e kaluar në një diskutim të mbajtur në Akademinë Ushtarake të West Point - dhe që "respektojnë të drejtat e njeriut të bashkëpatriotëve të tyre".
Strategjia aktuale amerikane synon që të heqë qafe komandantët dhe luftëtarët talebanë dhe t'i "sistemojë" pa asnjë lëshim domethënës politik, si dhe pa i bërë modifikime kushtetutës afganase. Por Washington mbetet thellësisht i përçarë përsa i përket bisedimeve me krerët talebanë. Dikasteret e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, Shtëpia e Bardhë dhe CIA janë me mendim të ndryshëm lidhur me këtë dhe ekzistojnë gjithsesi divergjenca midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Mua Gjenerali McChrystal më ka thënë se, ka mjaft komandantë talebanë të nivelit të mesëm, të cilët - sëbashku me njerëzit e tyre - duan që Karzai të shpallë një "strategji pajtimi" përpara se të jenë të gatshëm të ndryshojnë lojën. Dhe ka shtuar: "Riintegrimi i ish-talebanëve në gjirin e shoqërisë afganase ofron një rast të mirë për ta reduktuar rebelimin kryengritës në Afganistan... ndërsa al Qaeda duhet patjetër që të luftohet dhe shpartallohet".
Më ka rrëfyer gjithashtu se, përsa i përket bërjes së traktativave me drejtuesit talebanë bëhet fjalë për një vendim politik, që duhet marrë në Washington. Dhjetorin e kaluar Richard Holbrooke, përfaqësuesi Special për Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Pakistan, më ka rrëfyer se sipas vlerësimit të tij rreth 70 përqind e talebanëve "lufton për motive "lokale" apo për para më shumë sesa për arsye ideologjike apo për impenjime të marra me "lëvizjen", kështu që, sipas tij, mund të katandisen që të dorëzohen".
Ndërkohë, talebanët kanë treguar një shenjë të parë fleksibiliteti, siç lë të kuptohet deklarata e shkruar në 10 faqe dhe e bërë publike në nëntor 2009, me rastin e festimeve fetare të Eidit. Mullah Omari, lideri taleban, megjithëse i nxit militantët e tij që ta çojnë përpara xhihadin kundër "armikut arrogant" (Shteteve të Bashkuara), ka siguruar gjithashtu se një regjim i ardhshëm taleban do ta sillte paqen dhe do t'i elimininonte ndërhyrjet nga ana e forcave të huaja. Për më tepër, nuk do të përfaqësonte asnjë kërcënim për vendet limitrofe, duke nënkuptuar me këtë se, al Qaeda nuk do të kthehej në Afganistan sëbashku me talebanët. Duke u treguar më shumë diplomat sesa fondamentalist, Omari ka deklaruar: "Emirati islamik i Afganistanit synon që të marrë masa konstruktive sëbashku me të gjitha vendet e tjera me qëllimet e një bashkëpunimi reciprok, për zhvillimin ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë të bazuar mbi respektin reciprok".
Një javë më pas, përgjigja talebane ndaj diskutimit të mbajtur nga Obama në West Point linte sërish të kuptohej një qëndrim i ndryshuar. Në të nuk i bëhej asnjë cekje "luftës së shenjtë", as imponimit të sharias. Flitej në fakt për luftë patriotike për pavarësinë e Afganistanit dhe sigurohej se talebanët "janë gati të japin "garanci legale" atëherë kur forcat e armatosura të huaja do të tërhiqen nga Afganistani". Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, talebanët, megjithëse duke e dënuar ofensivën amerikane, dukej deri se simpatizoheshin me Obama, duke vërejtur se ata duhet të përballojnë "probleme shumë të rënda dhe një opozitë të fuqishme të brendshme".
Toni i ndryshuar i talebanëve vinte nga takimet sekrete të zhvilluara në pranverën e 2009. Të sponsorizuara nga Arabia Saudite pas kërkesës së Presidentit Karzai, në bisedime të tilla morën pjesë ish-talebanë (apo talebanë që më pas kanë dalë nga skena), ish-eksponentë arabë të al Qaedas dhe zëdhënësi i Karzait. Nuk është hapur kurrfarë e çare, por këto bisedime sekrete i kanë dhënë jetë një serie vizitash në Arabinë Saudite nga ana e liderëve të shquar talebanë në muajt e mëpasëm të 2009. Funksionarë amerikanë, britanikë e sauditë që qenë në mënyrë indirekte në kontakt me talebanët, i inkurajonin që të distancoheshin nga al Qaeda dhe i vunë në tryezë kërkesat e tyre negociuese. Nga ana e tyre, talebanët theksuan se distancimi nga al Qaeda do të kish si pasojë nga ana e amerikanëve dhe e aleatëve të tyre që të plotësohej një nevojë kryesore e tyre: domethënë që të gjitha forcat e armatosura të huaja të shpallnin një "tabelë largimi" të evakuimit nga Afganistani.
Istakhbarat (intelligence service saudit) nuk është në gjendje të prodhojë rezultate politike, por u ka mundësuar talebanëve një rrugë aksesi të sigurtë në bisedime dhe ka vepruar si nikoqir me qeverinë afganase dhe me funksionarët perëndimorë. Në mënyrë domethënëse, ISI - që kërkon nga sauditët, dikur aleatët e tij, një rol kyç në negociata - nuk është përjashtuar asnjëherë deri më tani, sipas kërkesës si të talebanëve, ashtu dhe të qeverisë afganase, pavarësisht se të dy nuk e kanë besim. Një mosbesim i tillë tani mund të jetë më i pakët. Çelësi i artë për negociata të mëtejshme formale me krerët talebanë tani është në dorën e Pakistanit dhe të ISI-t.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit janë ashpërsuar kohët e fundit, pasi që Shtetet e Bashkuara kërkojnë që forcat e armatosura pakistaneze "t'i kapin ose t'i vrasin" krerët talebanë, po ashtu edhe hierarkët talebanë pakistanezë. Midis tyre figurojnë disa talebanë afganas të rangut të lartë që jetojnë në Quetta e në Karachi, pse dhe aleatët e tyre, si puna e Jalaluddin Haqqani dhe Gulbuddin Hekmatyar, të cilët qëndrojnë në Waziristanin verior në zona tribale që i japin ndihmë Afganistanit. Pakistani thotë se, ka goxha punë për të bërë që të zgjidhë problemet akute me talebanët pakistanezë dhe me një numër në rritje të sulmeve terroriste nga ana e bërthamave të ndryshme rebele. Forcat e armatosura të tij, thotë se janë shumë të përhapura, shteti nuk disponon financa të mjaftueshme dhe, për pasojë do t'i dëgjojë amerikanët vetëm kur do të jetë në gjendje që ta bëjë. Efektivisht, Pakistani nuk do të jetë kurrë i gatshëm që të lëshojë një ofensivë ushtarake kundër krerëve talebanë, pasi i konsideron si aleatë potenciale të tij, në një Afganistan pa amerikanët, atëhere kur Shtetet e Bashkuara, ka mundësi do ta shkarkojnë edhe Pakistanin.
Aparati ushtarak pakistanez është në ankth të madh dhe ka frikë se me tërheqjen e amerikanëve nga Afganistani mund të pasojë një luftë civile dhe, sërish, trazira të mëdha në territorin e vet. "Duam që ofensiva amerikane të ketë sukses në Afganistan, pasi që në rast të kundërt do të ishim ne ata që do t'i paguanim çmimin", më është rrëfyer një oficer i lartë i ushtrisë pakistaneze. Veç kësaj, ushtria është e bindur se Shtetet e Bashkuara do të rreshtohen eventualisht me Indinë dhe deri i kanë lejuar tashmë asaj që të forcojë influencën e saj ndaj Kabulit në kurriz të Pakistanit. Pavarësisht sakrificave të bëra prej tyre për 30 vjet me qëllim që t'u jepte mbështetje afganasve kundër sovjetikëve, pakistanezët janë sot të privuar nga miqtë në Afganistan, me përjashtim të talebanëve afganas, të cilët janë më shumë mosbesues se të përzemërt ndaj ISI-t.
Me qëllim që të rifitojnë influencë në Afganistan dhe të dëbojnë indianët pas largimit të amerikanëve, ushtarakët pakistanezë në alternativë, mund t'i mbështesin talebanët në një plan veprimi që synon në ripushtimin e Kabulit dhe instalimin e një qeverie miqësore ndaj Pakistanit. Por kjo perspektivë aktualisht është tejet e rrezikshme: bashkësia ndërkombëtare nuk do ta toleronte dhe, veç të tjerash, një regjim i sipërpërmendur do t'u jepte talebanëve pakistanezë një bazë nga e cila të lëshonin sulme të mëtejshme kundër Pakistanit.
Në kuadrin e një ndryshimi të madh të rregullave, eksponentë të ushtrisë dhe funksionarë të shërbimeve sekrete pakistaneze thonë se, janë ofruar si ndërmjetës në pritje të bisedimeve midis liderëve më të mëdhenj talebanë, amerikanëve dhe Karzai. "Duam që traktativat të fillojnë menjëherë, jo pas 18 muajsh, kur amerikanët do të largohen. Por për këtë duhet që amerikanët të na besojnë dhe që nga ne të varen", më ka thënë një oficer i lartë i ushtrisë pakistaneze. Mungesa e theksuar e besimit midis CIA-s, ISI-të dhe vendeve të tjera mund të bjerë përballë këmbënguljes së pakistanezëve të prirur që t'i kanalizojnë negociatat nën exhidën e ISI-t. Disa funksionarë pakistanezë kanë mendimin se, nëse ISI do të ndihmojë që të organizohen bisedimet, iniciativat me kontakte të pavarura midis krerëve talebanë, CIA-s, MI-6-ës britanike dhe DNS-së (Drejtoria Kombëtare për Sigurinë) afganase duhet të pushojnë. Në shkëmbim, disa funksionarë pakistanezë kufizohen të thonë se duan të jenë të sigurtë se, "interesat kombëtare të Pakistanit në Afganistan do të ruhen". Deri më tani, "interesa" të tilla nuk u janë shprehur qartë amerikanëve dhe afganasve.
Bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm në pozicionin zyrtar të Pakistanit. Për 9 vjet me radhë - pavarësisht lidhjeve të mirënjohura midis ISI-t dhe talebanëve afganas - Pakistani ka vazhduar që ta mohojë fuqimisht për të ushtruar influencë ndaj krerëve talebanë dhe të pranojë se t'u ofrojë atyre hapur mikpritje ishte "jashtë diskutimit". Pakistani do të duhet të kryejë përpjekje serioze me qëllim që të fitojë besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të afganasve në rast se synon që të sponsorizojë negociatat me talebanët. Por divergjencat e tyre mund të zbuten nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të caktuara midis agjencive të ndryshme të intelligence dhe qeverive të interesuara. Funksionarë të lartë amerikanë thonë se, Pakistani po tregohet më fleksibël se në të kaluarën përsa i përket rregullit politk afganas.
Si do të përgjigjen krerët talebanë? Shumë prej tyre e kanë në grykë nga ISI, që bën skema dhe strategji për llogari të tyre, dhe do të preferonin që ai të qëndronte jashtë traktativave. Disa eksponentë talebanë kanë hartuar një raport sëbashku me DNS-në e Afganistanit, shërbimet sekrete afganase dhe qeverinë Karzai. ISI dhe DNS-ja urrehen dhe nuk kanë besim reciprokisht për njëri-tjetrin, kështu që DNS-ja do të ishte jashtëzakonisht ngurruese për të lejuar që ISI të luajë një rol parësor në kryerjen e negociatave. Veç kësaj, është thelbësore që pranimi i pajtimit me talebanët të miratohet edhe nga popullsia jo pashtune e veriut, e cila sot është jashtëzakonisht armiqësore si ndaj talebanëve, ashtu dhe ndaj ISI-t. Nëqoftëse grupet etnike veriore që përbëjnë 50 përqind të popullsisë nuk do ta pranonin planin e pajtimit, atëhere mund të shpërthejë një luftë e re civile si në vitet Nëntëdhjetë.
Por, ISI mund të ushtrojë një infuencë të fortë ndaj talebanëve. Jo vetëm talebanët janë në gjendje t'i shtojnë radhët e tyre me luftëtarë të ardhur nga Pakistani dhe të sigurojnë asistencën shëndetësore dhe shërbime të tjera, por familjarët e pjesës më të madhe të liderëve talebanë jetojnë në Pakistan, ku posedojnë shtëpi dhe menaxhojnë kompani e dyqane. Liderët talebanë shkojnë në Arabinë Saudite të pajisur me pasaporta pakistaneze. E gjitha kjo i bën të cënueshëm ndaj presioneve nga ana e ISI-t. Akoma përpara se ushtarakët amerikanë të mund të marrin në konsideratë eventualitetin e kooptimit të komandantëve talebanë të nivelit të mesëm, nga të dyja palët duhet të sqarohet se në çfarë mënyrë kjo do të perceptohej nga ISI.
Dëshira e zjarrtë që ushtria pakistaneze ushqen për të ushtruar ndonjë kontroll ndaj evenimenteve të ardhme në Afganistan i detyrohet, veç të tjerash, synimit strategjik që ai ndjek për të shmangur rrethimin nga ana e Indisë; por është edhe rezultatet i shaheve të vazhdueshme që ka pësuar duke filluar nga viti 2001. Ushtarakët kafshojnë akoma sot gishtat për shkak të vendimeve të marra nga ish-Presidenti Bush që i lejoi Aleancës së Veriut, armiqësore ndaj Pakistanit, të pushtojë ushtarakisht Kabulin, injoroi kërkesën e avancuar më pas nga Islamabadi për të nisur konsultime lidhur me strategjinë amerikane në Afganistan dhe i trajtoi të gjithë pashtunët afganas si talebanë potencialë. Kjo kontribuoi që të radikalizoheshin ndjenjat e popullsisë pashtune rezidente në Pakistan, e cila është shumë më e madhe në numër se ajo afganase: ka 27 milion pashtunë në Afganistan dhe vetëm 12 milion në Afganistan.
Për të bërë traktativa duhet shumë më tepër se një bashkëpunim sekret midis agjencive të ndryshme të intelligence, ose që CIA t'u paguajë ryshfete komandantëve talebanë me qëllim që të kthejnë krahun (siç bëri në vitin 2001, duke korruptuar Aleancën Veriore). Kërkohet një strategji publikisht e shpallur që të involvojë përpjekje konkrete për të ndërtuar institute politike dhe për të zgjeruar ndihmat humanitare në mënyrë të tillë që të mos kërkojnë ndërfutjen dhe kontrollin e perëndimorëve: një strategji në gjendje të tërheqë shumë anëtarë të talebanizmit, të reduktojë dhunën dhe të qetësojë shpirtrat e atyre afganasve që i kundërvihen çdo kompromisi. Bashkëpunëtorët e Presidentit amerikan kanë bërë prezent nevojën e një strategjie publike të mësipërme, por shumë pak është realizuar lidhur me këtë nga kur Obama ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, objektiva të tilla janë me rëndësi të madhe.
Këto më poshtë janë sugjerimet lidhur me hapat që duhet të kryhen dhe masat që duhen ndërmarrë përpara se të bihet dakord që të bëhen bisedime me talebanët. Në linjë teorike, pothuajse të gjitha pikat janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO-ja, por deri më tani nuk është ndërmarrë lidhur me këtë asnjë iniciativë konkrete.
Të bindë vendet limtorfe me Afganistanin, ashtu si dhe vende të tjera të skakierës, që të kundërfirmojnë një strategji pajtimi me talebanët për t'u zbatuar nën drejtimin e qeverisë afganase. Krijimi i një strategjie rajonale dhe i një konsensusi lidhur me Afganistanin ka qenë një prej objektivave parësore të qeverisë Obama; por shumë pak është realizuar. Nga Irani në Indi, tensionet rajonale sot janë më të forta sesa një vit më parë.
T'i mundësojë Afganistanit që të depozitojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një kërkesë për të fshirë emrat e liderëve talebanë nga "lista e terroristëve" e hartuar në vitin 2001, boll që liderët të deklarojnë se, heqin dora nga dhuna dhe i shkëpusin lidhjet e tyre me al Qaedan. Rusia tashmë e ke refuzuar që t'i përmbahet kërkesës së tashme, por Obama nuk ka tentuar me energji të mjaftueshme që ta sigurojë këtë lëshim nga liderët rusë.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nxjerr një rezolutë, që i jep formalisht mandat qeverisë afganase që të negociojë me talebanët dhe u mundëson Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara që t'i inkurajojnë negociata të tilla. Kjo nënkupton që të binden vendet ngurruese si Rusia dhe India që ta mbështesin rezolutën e sipërpërmendur. (Me 27 janar, një komitet i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka shpallur se, me miratimin e Rusisë - janë abroguar sanksionet kundër ish 5 funksionarëve talebanë, të cilët kanë deklaruar se mbështesin qeverinë Karzai).
Forcat e armatosura të NATO-s dhe afganase bëhen përgjegjës të sigurisë së talebanëve dhe të familjeve të tyre që kthehen në Afganistan, duke i ngarkuar agjencitë ndërkombëtare, të tilla si Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që të bashkëpunojnë me qeverinë afganase për të asistuar të mbijetuarit, të shpërndajë shpërblimet dhe banesat, të sigurojë trajnimin për punë dhe të favorizojë riintgerimin e tyre.
Dhënia e fondeve të duhura, formim dhe personel për një ent të ngarkuar me pajtimin, i drejtuar nga qeveria afganase, që do të operojë sëbashku me forcat e armatosura perëndimore dhe me agjensitë humanitare me qëllim që të shkruajnë të zezë mbi të bardhë një program të kuptueshëm dhe të përcaktuar siç duhet për sigurinë e të mbijetuarve talebanë dhe për t'u lehtësuar mikpritjen.
Të inkurajojë ushtarakët pakistanezë që të asistojnë forcat e armatosura të NATO-s dhe afganase që të garantojnë sigurinë e të mbijetuarve talebanë, ashtu si dhe t'u mundësojnë tranzitin përtej kufitar agjencive humanitare. Të inkurajojë Pakistanin dhe Arabinë Saudite që të ndihmojnë talebanët për të formuar një parti politike të ligjshme - ashtu siç kanë bërë tashmë militantë të tjerë afganas - si puna e ish-anëtarëve të Partisë Hizb-i-Islami të Gulbuddin Hekmatyar. Kjo do t'i jepte një goditje shumë të fortë al Qaedas dhe talebanëve pakistanezë dhe do t'i jepte formë konkrete impenjimit të marrë nga Obama, kur ky është shprehur, në mënyrë të përsëitur, i gatshëm që t'ua shtrijë dorën myslimanëve.
Drejtuesve talebanë u duhet lejuar një vend takimi natyral - në Arabinë Saudite apo tjetërkund - ku të mbajnë bisedimet me qeverinë afganase dhe me NATO-n. Shtetet e Bashkuara duhet t'i lirojnë të burgosurit afganas të mbajtur akoma sot në Guantánamo dhe t'u lejojnë atyre që të shkojnë në Pakistan, në Afganistan apo në Arabinë Saudite.
Deri kur një procedurë e tillë politike nuk do të shpallej publikisht, talebanët mund të mendojnë se për ta është më mirë që ta kufizojnë hapin e tyre për 18 muaj dhe të presin që amerikanët të fillojnë të largohen dhe më pas - atëhere kur do ta konsiderojnë të cënueshëm Afganistanin - të marshojnë mbi Kabul... edhe me koston e shpërthimit të një lufte të re civile.
Ahmed Rashid, gazetar dhe shkrimtar pakistanez, është autori i librave: Talebanë: Islam, naftë dhe ndeshja e madhe në Azinë Qendrore; Në zemër të Islamit dhe Kaosi Azi. Dështimi perëndimor në fuçinë e barutit të botës. Bashkëpunon me "BBC"-në dhe shkruan për gazeta të ndryshme londineze, midis të cilave "Daily Telegraph" dhe "International Herald Tribune".
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Një histori e fshehtë e së keqes


Dy njerëzit që mbajnë çelësat e Kremlinit në Londër
Në vetëdijen kolektive të botës, fjala "nazist" është sinonim me të keqen. Kuptohet gjerësisht se ideologjia naziste - nacionalizimi, antisemitizmi, shteti etnik autarkik, parimi i Fyhrerit - çoi drejtpërsëdrejti në krematorët e Auschëitz. Por nuk është e kuptuar po aq mirë se, komunizmi çoi në mënyrë të pandalshme, kudo në botë ku u zbatua, në uri, torturë dhe kampe pune të detyruar. As nuk pranohet gjerësisht se komunizmi qe përgjegjës për vdekjet e rreth 150 milionë qenieve njerëzore gjatë shekullit të Njëzet. Bota mbetet në mënyrë të pashpjegueshme indiferente dhe jokureshtare rreth idelogjisë më vdekjeprurëse në histori.
Si dëshmi e kësaj indiference, kini parasysh arkivat e palexuara sovjetike. Pavel Stroilov, një i mërguar rus në Londër, ka në kompjuterin e tij 50000 dokumenta të pabotuara, të papërkthyera, top sekret të Kremlinit, shumica që i përkasin përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ai i vodhi ato në vitin 2003 dhe u arratis nga Rusia. Me sa na e ha mendja, ato do të vlenin miliona për CIA-n, pasi me siguri tregojnë një histori rreth komunizmit dhe kolapsit të tij, të cilën bota duhet ta dijë. Megjithatë, ai nuk gjen asnjeri që t'i vendosë ato në një bibliotekë të nderuar, t'i botojë ato apo të financojë përkthimin e tyre. Në fakt, ai nuk mund të gjejë asnjë njeri që të tregojë ndonjë interes për to.
Pastaj është disidenti sovjetik Vladimir Bukovsky, i cili dikur kaloi 12 vjet në burgjet, kampet e punës dhe psikhushkas - spitalet psikiatrike sovjetike - të Bashkimit Sovjetik, pasi është dënuar për kopjim letërsie antisovjetike. Gjithashtu edhe ai posedon një koleksion masiv dokumentash të vjedhura dhe të kontrabanduara nga arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, të cilat, siç shkruan ai, "përmbajnë fillimet dhe fundet e të gjitha tragjedive të shekullit tonë të përgjakur". Këto dokumenta janë të vlefshme online tek bukovsky-archives.net, por shumica nuk janë të përkthyera. Ato janë të paorganizuara; nuk ka asnjë përmbledhje; nuk ka asnjë funksion kërkimi apo indeksimi. "Unë ua ofroj pa pagesë ato shumicës së gazetave dhe zhornaleve me influencë në botë, por askush nuk do që t'i botojë ato", shkruan Bukovsky. "Botuesit mbledhin supet me indiferencë: Po pastaj? Kush e vret mendjen?".
Origjinalet e shumicës së dokumentave të Stroilov-it mbeten në arkivat e Kremlinit, ku ashtu si shumica e dokumentave top sekret të Bashkimit Sovjetik nga era passtaliniane, qëndrojnë të klasifikuara. Ato, thotë Stroilov, përfshijnë transkriptimet e pothuajse çdo bisede të bërë midis Gorbaçovit dhe homologëve të tij të huaj, një transkriptim diplomatik pothuajse i plotë i epokës, i gatshëm në asnjë vend tjetër. Ka shënime nga Byroja Politike të marra nga Georgy Shakhnazarov, një ndihmës i Gorbaçovit dhe nga anëtari i Byrosë Politike, Vadim Mevedev. Është ditari i Anatoly Chernyaev - ndihmës kryesor i Gorbaçovit dhe zëvendësshef i trupës dikur të njohur si Comintern - që daton nga viti 1972 deri në kolapsin e regjimit. Ka raporte, që datojnë nga vitet Gjashtëdhjetë, nga Vadim Zagladin, zëvendësshef i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror deri në vitin 1987 dhe më pas këshilltar i Gorbaçovit deri në vitin 1991. Zagladin qe njëherazi i dërguar dhe spiun, i ngarkuar me grumbullimin e sekreteve, përhapjen e dizinformacionit dhe avancimin e influencës sovjetike.
Kur Gorbaçovi dhe ndihmesat e tij u larguan nga Kremlini, ata morën kopje të paautorizuara të këtyre dokumentave me vete. Dokumentat e skanuan dhe u magazinuan në arkivat e Fondacionit Gorbaçov, një prej instituteve kërkimore të pavarura të para në Rusinë moderne, ku një grushti kërkuesish miq dhe veteranë ju lejua një akses i kufizuar. Më pas, në vitin 1999, Fondacioni hapi një pjesë të vogël të arkivit për kërkuesit e pavarur, përfshi Stroilov. Pjesët kyçe të koleksionit mbetën të mbyllura; dokumentat mund të kopjoheshin vetëm me lejen e shkruar të autorit dhe Gorbaçovi refuzonte të autorizonte ndonjë kopje. Por kishte një difekt në sigurinë e Fondacionit, shpjegon Stroilov. Kur ecnin keq gjërat me kompjuterët, siç kishte ndodhur shpesh, ai qe në gjendje të shikonte administratorin e rrjetit tek shtypte fjalëkalimin që siguronte aksesin në rrjetin e Fondacionit. Me ngadalë dhe në mënyrë të fshehtë, Stroilov e kopjoi arkivin dhe e dërgoi atë në vende të sigurta anembanë botës.
Kur dëgjova për herë të parë rreth dokumentave të Stroilov, u habita se mos qenë falsifikime. Por në vitin 2006, duke i pas vlerësuar dokumentat me bashkëpunimin e disidentëve të shquar sovjetikë dhe spiunëve të Luftës së Ftohtë, gjykatësit britanikë konkluduan se, Stroilov qe i besueshëm dhe i miratuan kërkesën për azil. Vetë Fondacioni Gorbaçov e ka pranuar qysh atëhere vërtetësinë e dokumentave.
Historia e Bukovsky është e ngjashme. Në vitin 1992, qeveria e Presidentit Boris Yeltsin e ftoi atë që të dëshmonte në Gjykatën Kushtetuese të Rusisë në një çështje që kishte të bënte me kushtetutshmërinë e Partisë Komuniste. Arkivat Shtetërore ruse i dhanë Bukovsky akses në dokumentat e tyre për të përgatitur dëshminë e tij. Duke përdorur një skaner portabël, ai kopjoi mijëra dokumenta dhe i nxorri ato në Perëndim.
Shteti rus nuk mund ta padisë Stroilov apo Bukovsky, për shkelje të së drejtës së autorit, pasi materiali u krijua nga Partia Komuniste dhe Bashkimi Sovjetik, asnjëri nga të dy ekzistues tani. Megjithatë, sikur të kish qëndruar në Rusi, Stroilov beson se do të ishte gjykuar për nxjerrje të sekretit shtetëror apo për tradhti. Historiani ushtarak Igor Sutyagin po kryen tani 15 vjet burg në një kamp pune të rëndë për krimin e grumbullimit të copërave të gazetës dhe të materialeve të tjera të hapura dhe të dërgimit të tyre një kompanie britanike konsultimi. Rreziku që ndeshnin Stroilov dhe Bukovsky qe real dhe i rëndë; ata të dy supozonin se bota do t'i kushtonte vëmendje asaj që ata kishin rrezikuar aq shumë për ta siguruar.
Stroilov pretendon se, dokumentat e tij "tregojnë një histori krejtësisht të re rreth përfundimit të Luftës së Ftohtë. Versioni "rëndom i pranuar" i historisë së asaj periudhe konsiston në mite pothuajse tërësisht. Këto dokumenta janë të gjendje që ta rrëzojnë secilin prej tyre". Është kështu? Nuk mund ta them, nuk lexoj rusisht. Prej dokumentave të Stroilov, kam parë vetëm pak të përkthyera në anglisht. Sigurisht, ato nuk mund të merren siç duken. Në fund të fundit, janë të shkruara nga komunistë, por mundësia që Stroilov të ketë të drejtë duhet të nxisë kuriozitet të fortë.
Për shembull, dokumentat e nxjerrin Gornaçovin në një dritë shumë më të errët nga ajo që ai përgjithësisht shikohet. Në një dokument, ai qesh me Byronë Politike rreth rrëzimit nga ana e Bashkimit Sovjetik e fluturimit 007 të kompanisë Korean Airlines në vitin 1983 - një krim që jo vetëm qe monstruoz, por që e solli botën shumë afër Armagedonit bërthamor. Këto shënime nga një takim i Byrosë Politike i 4 tetorit 1989 janë njëlloj shqetësuese:
Lukyanov raporton se numri real i viktimave në Sheshin "Tien An Men" qe 3000.
Gorbaçovi: Ne duhet të jemi realistë. Njëlloj si ne, ata duhet të mbrojnë veten. 3000. . . E pastaj?
Dhe një transkriptim i bisedës së Gorbaçovit me Hans-Jochen Vogel, liderin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Perëndimore, e tregon Gorbaçovin që mbron masakrën e trupave sovjetike të 9 prillit 1989 ndaj protestuesve paqësorë në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Dokumentat e Stroilov përmbajnë gjithashtu transkriptime të diskutimeve të Gorbaçovit me shumë liderë të Lindjes së Mesme. Ato zbulojnë lidhje interesante midis politikës sovjetike dhe tendencave bashkëkohore në politikën e jashtme ruse. Këtu kemi një fragment nga një bashkëbisedim që raportohet se është bërë me Presidentin sirian Hafez al-Assad me 28 prill 1990:
H. ASSAD. Që të ushtrojë presion ndaj Izraelit, Bagdadit do t'i duhet që të bashkohet me ngushtë me Damaskun, pasi Iraku nuk ka kufi të përbashkët me Izraelin. . . .
M. S. GORBÇOVV. Po kështu mendoj dhe unë. . . .
H. ASSAD. Qëndrimi i Izraelit është ndryshe, pasi vetë besimi judaik deklaron: territori i Izraelit shkon nga Nili në Eufrat dhe kthimi i saj është një fat hyjnor.
M. S. GORBAÇOV. Por ky është racizëm, i kombinuar me mesianizëm!
H. ASSAD. Kjo është forma më e rrezikshme e racizmit.
Njeriu nuk duhet të jetë me fantazi për t'u habitur, nëse diskutime të tilla mund të jenë të rëndësishëm për kuptimin tonë të politikës bashkëkohore ruse, në një rajon me rëndësi strategjike deri diku jetëgjatë.
Ka mënyra të tjera, në të cilat historia që tregojnë dokumentat e Stroliov dhe Bukovsky nuk ka mbaruar. Për shembull, ato tregojnë se arkitektët e projektit të integrimit evropian, ashtu si dhe shumë liderë të lartë të sotëm në Bashkimin Europian qenë shumë afër me Bashkimin Sovjetik për komfort. Kjo ngre pikëpyetje të rëndësishme rreth natyrës së Europës bashkëkohore - pikëpyetje që mund t'u jepet përgjigje kur amerikanët e konsiderojnë Europën si një model për politikën sociale apo kur ata kërkojnë bashkëpunim diplomatik evropian lidhur me çështjet kyçe të sigurisë kombëtare.
Për shembull, sipas raporteve të Zagladin, Kenneth Coates, i cili nga 1989 deri më 1998 qe anëtar britanik i Parlamentit Europian, ju afrua Zagladin më 9 janar të 1990 për të diskutuar atë çka ishte ekuivalente me një shkrirje graduale të Parlamentit Europian dhe Sovjetit Suprem. Coates, thotë Zagladin, shpjegoi se "krijimi i një infrastrukture bashkëpunimi midis të dy parlamenteve do të ndihmonte. . . të izoloheshin të djathtët në Parlamentin Europian (dhe në Europë), ata që janë të interesuar në kolapsin e Bashkimit Sovjetik". Coates shërbeu si drejtues i Nënkomitetit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Europian nga 1992 deri më 1994. Si ka ndodhur që Europa po merrte këshilla rreth të drejtave të njeriut nga një njeri që dukshëm kishte dashur të "izolonte" ata të interesuar në kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe kërkuar të zgjeronte influencën sovjetike në Europë?
Ose shikoni një raport lidhur me Francisco Fernández Ordóñez, i cili drejtoi integrimin e Spanjës në Komunitetin Europian si ministri i Jashtëm i saj. Më 3 mars të vitit 1989, sipas këtyre dokumentave, ai i shpjegonte Gorbaçovit se, "suksesi i Perestrojka nënkuptonte vetëm një gjë të vetme: suksesin e revolucionit socialist në kushtet bashkëkohore dhe kjo është saktësisht ajo që reaksionarët nuk e pranojnë". 18 muaj më vonë, Ordóñez i thotë Gorbaçovit: "Ndjej pështirosje intelektuale kur më duhet të lexoj pasazhe në dokumentat 937 G7-8776, ku problemet e demokracisë, lirisë së personalitetit njerëzor dhe të ideologjisë të ekonomisë së tregut vendosen në të njëjtin nivel. Si socialist, nuk mund ta pranoj një ekuacion të tillë". Ndoshta më tronditësja, shtypi evropianolindor ka raportuar se dokumentat e Stroilov tregojnë se, Presidenti francez, François Mitterrand, po bënte manovra me Gorbaçovin për të siguruar që, Gjermania do të bashkohej si një entitet neutral socialist nën zotërimin franko - sovjetik.
Shënimet e Zagladin vërejnë gjithashtu se, ish-lideri i Partisë Laburiste britanike, Neil Kinnock, ju afrua Gorbaçovit - në mënyrë të paautorizuar, përderisa Kinnock ishte lideri i opozitës - nëpërmjet një të dërguari sekret për të diskutuar mundësinë e ndalimit të programit të raketave bërthamore "Trident" të Mbretërisë së Bashkuar. Transkriptimet e takimit midis Gorbaçovit dhe të dërguarit, parlamentarit Stuart Holland, lexojnë sa më poshtë:
Sipas opinionit të Holland, Bashkimi Sovjetik duhet të jetë shumë i interesuar në likuidimin e raketave "Trident", pasi, përveç gjërave të tjera, Perëndimi - që nënkupton Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën - do të kishte një avantazh të madh ndaj Bashkimit Sovjetik, pas përfundimit të Traktatit START. Ky avantazh duhet të eliminohet. ... Në të njëjtën kohë, Holland nënvizoi se, sigurisht, ne mund të mendojmë seriozisht rreth realizimit të kësaj ideje vetëm nëqoftëse laburistët vijnë në pushtet. Ai tha se, Thatcher . . . nuk do të binte dakord kurrë për ndonjë reduktim të armatimeve bërthamore.
Kinnock ka qenë Zëvendëspresident i Komisionit Europian nga 1999 deri më 2004 dhe bashkëshortja e tij, Glenys, ka qenë deri së fundi ministrja për Europën e Britanisë. Gerard Batten, një anëtar i UK Independence Party, ka nënvizuar rëndësinë e episodit. "Nëqoftëse raporti i dhënë zotit Gorbaçov është i vërtetë, kjo do të thotë se Lordi Kinnock ju afrua një prej armiqve të Britanisë me qëllim që të kërkonte miratim lidhur me politikën mbrojtëse të partisë së tij", tha Batten në Parlamentin Europian në vitin 2009. "Nëqoftëse ky raport është i vërtetë, atëhere Lordi Kinnock do të ishte fajtor për tradhti".
Në mënyrë të ngjashme, Baronesha Catherine Ashton, e cila është tani ministre e Jashtme e Bashkimit Europian, ka qenë financierja e Fushatës për Çarmatimit Bërthamor të Britanisë nga 1980 deri më 1982. Dokumentat ofrojnë dëshmi se kjo organizatë përfitoi "shuma të paidentifikuara parashë" nga Bashkimi Sovjetik në vitet Tetëdhjetë. Dokumentat e Stroilov tregojnë gjithashtu sem Komisioneri aktual për Çështjet Ekonomike dhe Monetare i Bashkimit Europian, spanjolli Joaquín Almunia, e mbështeste në mënyrë entuziaste projektin sovjetik të bashkimit gradual të Gjermanisë dhe të Europës në një "shtëpi të përbashkët evropiane"m socialiste dhe ju kundërvu fuqimisht pavarësisë së shteteve balltike dhe asaj të Ukrainës.
Ndoshta nuk habiteni kur lexoni sem politikanë të shquar europianë kishin pikëpamje të tilla. Po pse? Është e pamundur të imagjinohet që figura që kanë gëzuar lidhje të tilla të ngushta me Partinë Naziste ose, me që ra fjala, me Ku Klux Klan apo me regjimin e aparteidit të Afrikës së Jugut do të gëzonin pozicione të tilla të larta sot në Europë. Në mënyrë të dukshme, rregullat janë ndryshe për simpatizantët komunistë. "Tani kemi Partinë Socialiste të pazgjedhur të Bashkimit Europian që drejton Europën", më thotë Stroilov. "Vë bast që KGB-ja nuk mund ta besojë një gjë të tillë".
Dhe cili është përshkrimi i Zagladin për traktativat me zëvendëspresidentin tonë aktual në vitin 1979?
Në mënyrë jozyrtare, [Senatori Joseph] Biden dhe [Senatori Richard] Lugar thanë se, në fund të fundit, ata nuk qenë dhe aq të preokupuar me zgjidhjen e një problemi të këtij apo atij qytetari sesa me faktin që t'i tregojnë publikut amerikan se ata kujdesen për "të drejtat e njeriut". . . Me fjalë të tjera, bashkëbiseduesit e pranuan se ajo çka po ndodhte ishte një lloj shfaqjeje, se ata absolutisht nuk e vrisnin mendjen për fatin e pjesës më të madhe të të ashtuquajturve disidentë.
Në mënyra të jashtëzakonshme, bota ka treguar pak interes në arkivat e palexuara sovjetike. Ky paragraf rreth Biden është një shembull i mirë. Stroilov dhe Bukovsky, bashkëshkruan një artikull rreth kësaj në revistën "FrontPage" të 10 tetorit 2008; kaloi pa lënë asnjë shenjë. Amerikanët e konsideruan episodin aq të privuar nga interesi sa që edhe kundërshtarët politikë të Biden nuk u përpoqën që ta kthenin atë në kapital politik. Imagjinonin, nëqoftëse mundeni, sesi duhet të ndjeheni nëqoftëse ke kaluar një pjesë të jetës tënde në një spital psikiatrik sovjetik, ku mësoni se Joe Biden është tani Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara dhe të mësoni se askush nuk e çan kokën.
Libri i Bukovsky rreth historisë që tregojnë këto dokumenta, i titulluar Jugement à Moscou, është botuar në frëngjisht, në rusisht dhe në pak gjuhë të tjera sllave, por jo në anglisht. Random House e bleu dorëshkrimin dhe, sipas fjalëve të Bukovsky, u përpoq "të më detyrojë që ta rishkruaja të gjithë librin nga perspektiva politike e majtë liberale". Bukovsky u përgjigj se, "si pasojë e disa tipareve të biografisë time, unë jam alergjik ndaj censurës politike". Kontrata u anullua, libri nuk u botua asnjëherë në anglisht dhe asnjë botues tjetër nuk ka treguar interes për të. Po kështu asnjeri nuk ka dashur që të botojë EUSSR, një pamflet i shkruar nga Stroilov dhe Bukovsky rreth rrënjëve sovjetike të integrimit evropian. Në vitin 2004, një botues i vogël britanik botoi një version të shkurtuar të pamfletit. Edhe ai kaloi pa u vënë re fare.
Stroilov ka një listë të gjatë me ankesa rreth gazetarëve, që fillimisht kishin treguar interes për dokumentat, vetëm për t'i dhënë më pas se editorët e tyre e kishin deklaruar historinë si të parëndësishme. Përpara vizitës së Gorbaçovit në Gjermani për festimin e përvjetorit të 20-të të rënies së Murit të Berlinit, thotë Stroilov, ai i ofroi shtypit gjerman, dokumentat që e paraqisnin në mënyrë të vërtetë atë. Nuk pati asnjë marrës. Në Francë, lajmi rreth dokumentave që tregonin planet e Miterrand dhe Gorbaçovit për ta kthyer Gjermaninë në një shtet socialist të pavarur shkaktuan pak murmurima kurioziteti dhe asgjë më shumë. Koleksioni i madh Bukovsky rreth sponsorizimit sovjetik të terrorizimit, palestinez dhe tjetër, mbetet në pjesën më të madhe i pabotuar.
Stroilov thotë se, ai dhe Bukovsky ju afruan Jonathan Brent të Yale University Press, i cili po drejton një projekt botues lidhur me historinë e Luftës së Ftohtë. Ai pretendon se, fillimisht Brent qe entuziast dhe i kërkoi atij që të shkruante një libër, bazuar në dokumenta, përpara Luftës së parë të Gjirit. Stroilov thotë, se i shkroi 6 kapitujt e parë, ia dërgoi ato atij dhe nuk dëgjoi më asgjë nga Brent, pavarësisht se duke i dërguar e-mail pas e-mail. "Nuk mund të spekuloj se çfarë e frikësoi atë aq shumë nga libri im", më shkroi Stroilov.
Gjithashtu dhe unë e kam pyetur Brent dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kjo nuk do të thotë asgjë, njerëzit janë të zënë. Jam më pak e bindur të besoj në përpjekjet komplekse për të fshehur të vërtetën sesa jam në indiferencën dhe preokupimin pas gjërave të tjera. Stroilov shikon në këto ngjarje "një lloj tabuje, prirja e rëndomtë e vagullt në Establishment se është më mirë t'i lesh të qetë qentë e fjetur, të mos hedhësh gurë në një shtëpi të xhamtë dhe të mos përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit". Unë dyshoj se është diçka akoma më shqetësuese: askush nuk e vret mendjen.
"Unë e di se koha do të vijë", thotë Stroilov, "kur bota do të shikojë nga këto dokumenta me shumë kujdes. Nuk mund t'i shmangemi kësaj. Nuk kemi asnjë rrugë përpara deri kur të mos kemi ndeshur të vërtetën e asaj që na ka ndodhur në shekullin e Njëzet. Edhe tani, nuk ka rëndësi sesa fort përpiqemi për ta injoruar historinë, të gjitha këto probleme na rikthehen në mënyrë të përsëritur".
Problemet, është e vërtetë, kthehen në mënyrë të përsëritur, por pak kujtojnë se janë pyetur më parë dhe pak kujtojnë sesi ishte përgjigja. Askush nuk flet shumë rreth viktimave të komunizmit. Askush nuk ngre memoriale për turmat e njerëzve të vrarë nga shteti sovjetik. (Në librin e tij gjerësisht të injoruar, A Century of Violence in Soviet Russia, Alexandër Yakovlev, arkitekti i Perestrojka nën Gorbaçovin, e nxjerr këtë numër midis 30 deri 35 milionëve).
Në të vërtetë, shumë u përmbahen akoma rregullave thelbësore të ideologjisë komuniste. Politikanë, akademikë, studentë dhe deri shoferë taksie autodidaktë akoma i kundërvihen pronës private. Shumë mbeten të magjepsur pas skemave për planifikim qendror ekonomik. Sipas sondazheve, Stalin është një prej figurave më popullore historike të Rusisë. Një numër jo i vogël të rinjsh në Stamboll, ku unë jetoj, e përshkruajnë veten me krenari si komunistë; kam takuar njerëz të tillë anembanë botës, nga Seattle në Calcutta.
Ne me të drejtë këmbëngulëm për denazifikimin total, me të drejtë dënojmë ata që përpiqen tani të ringjallin ideologjinë naziste, por bota tregon një difekt të rrezikshëm për të njohur historinë monstruoze të komunizmit. Këto dokumenta duhen përkthyer. Ato duhet të vendosen në biblioteka të famshme, të katalogohen si duhet dhe të vlerësohen me kujdes nga studiuesit. Mbi të gjitha, ato duhet të jenë të mirënjohura për një publik që duket se e ka harruar se çfarë qe realisht Bashkimi Sovjetik. Nëqoftëse ato përmbajnë atë çka Stroliov dhe Bukovsky thonë - dhe e gjithë dëshmia që unë kam parë tregon se ato e përmbajnë - ky është detyrimi i gjithsekujt që e vret sadopak mendjen për historinë, politikën e jashtme dhe miliona të vdekurit.
Claire Berlinski, një kontribuese e rregullt e City Journal, është një gazetare amerikane që jeton në Stamboll. Ajo është autore e librit There Is No Alternative: Ëhy Margaret Thatcher Matters.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Zbulime: Pajisje antike të teknologjisë së lartë


Zbulimet e disa objekteve të çuditshme që nuk duhet të kishin ekzistuar kanë vendosur prej kohësh një pikëpyetje të madhe rreth njohurive tona për botën. Veçanërisht tronditëse është evidenca që tregon se thellë në antikitet, raca njerëzore ka qenë shumë herë më e avancuar nga ç'mund të guxojmë të imagjinojmë. E pakta që bëjnë këto zbulime është që na inkurajojnë të bëjmë pyetje më të thella në lidhje me të shkuarën e botës dhe vetëm me anë të studimeve dhe kërkimeve të pareshtura, njerëzimi ka arritur të lexojë faqet e harruara të historisë së planetit Tokë. Zbulimet kanë qenë tronditëse!
Asnjë cep i botës nuk ka shpëtuar pa qenë dëshmitar i ndonjë enigme të çuditshme apo të fenomeneve të pamundura për t'u shpjeguar. Katalogu i këtyre zbulimeve mahnitëse është tejmase shokues. Lente antike të lëmuara, të njëjta me ato që përdorim sot, pjesë baterish antike, observues mahnitësh astronomikë, pajisje të sofistikuara të ngjashme me atë të matjes së lëvizjes së tokës dhe kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël e gamës së pasur të zbulimeve që po ndryshojnë perceptimin tonë të botës antike. Ka patur madje edhe evidencë që njeriu mund të ketë patur pajisje fluturuese.
Është një fakt i njohur që legjendat e lashta flasin për fluturime të shpeshta duke përdorur energjinë e pashtershme ley-line. Me anë të disa mjeteve të panjohura për ne, këto "ley-line" kanë qenë të afta të ngrinin në qiell makinat fluturuese të cilat sipas autorit Rene Noorbergen kanë fluturuar rregullisht nga Anglia për në Greqi dhe anasjelltas. Ai shkruan: "Tradita Druidike na tregon se heronj si Mog Ruith, Bladud dhe magjistari Abiris, të cilët zotëronin pajisje fluturuese, përdornin energjinë e ley-line për të udhëtuar drejt Greqisë".
Zbulimi në Cosos
Në vitin 1961 është gjetur një gur i çuditshëm në Malet Cosos të Kalifornisë. I çuditshëm pasi kur është sharruar për t'u ndarë përgjysëm, është zbuluar se përmbante një lloj pajisjeje të çuditshme mekanike. Pajisja përbëhej nga një shtresë gjashtëkëndore të një substanceje të panjohur, e cila rrethonte një cilindër porcelani, i cili në vetvete përmbante gjithashtu një bosht metali të shndrritshëm rreth 2 milimetra të gjatë. Rreth cilindrit të porcelanit ishin vendosur disa unaza koperi, të cilat çuditërisht nuk shfaqnin asnjë shenjë gërryerje.
Objekti u analizua më pas në Shoqërinë e Charles Ford, e cila ishte ajo që konfirmoi se bëhej fjalë për një pajisje mekanike. Nga fotografitë e objektit dukej qartë se boshti metalik ishte i fiksuar pas një lloj përçuesi dhe kjo bëri që objekti të etiketohej si një pajisje elektrike. Ekspertët që e ekzaminuan e krahasuan atë me një kandelë. Kjo dukej si një çudi e madhe, por kur gjeologët këmbëngulën se guri në të cilën ishte gjetur pajisja ishte rreth gjysmë milion vite i vjetër, misteri u ngrit deri në qiell. Pse ishte vendosur ajo pajisje brenda një guri? Si e kishin futur? Asnjë përgjigje e besueshme! Vetëm e paimagjinueshmja duket se mund t'i japë shpjegim.
Varësja e floririt
Në vitin 1891 është bërë një zbulim edhe më i çuditshëm. Një grua në Morrisonville Illinois po gërmonte qymyrgurin me lopatë kur një copë e madhe u thye dhe u hap përpara syve të saj. Ajo u mahnit kur gjeti në brendësi të qymyrit një varëse floriri të mrekullueshme artizanale. Disa ditë më pas gazeta lokale deklaroi: "Zonja Culp mendoi se zinxhiri i kishte rënë dikujt aksidentalisht në qymyr, por kur tentoi ta merrte atë në duar zinxhiri u këput pasi ishte i ngjitur pas qymyrit. Nga ekzaminimi i bërë dukej qartë se qymyri ishte bosh në brendësi dhe se varësja ishte e ngjitur në të. Kur qymyri u hap në dy pjesë u vu re se njëri cep i varëses ishte i ngjitur në njërën pjesë të qymyrit dhe cepi tjetër në tjetrën".
Zbulimi i Morrisonville nuk ka qenë i vetmi në llojin e tij. Në vitin 1844 është zbuluar një tjetër send floriri në një minierë të Anglisë. Minatorët rastësisht zbuluan një send me fije ari rreth 9 metër poshtë sipërfaqes. Objekti ishte futur brenda në gur edhe pse mendohej të ishte 60 milionë vjeçar. Sipas revistës "Times", ekspertët dolën në përfundimin se objekti ishte krijuar artificialisht në mënyrë artizanale, por mbetet ende një mister i madh mënyra se si e kanë futur brenda në një gur para kaq shumë vitesh.
Kubi i Salzburgut
Në vitin 1885 është gjetur një tjetër send misterioz në të njëjtat rrethana. Bëhej fjalë për një kub çeliku të futur brenda një blloku karboni. Ekzaminimet e mëvoshme konfirmuan se kubi ishte ndërtuar në mënyrë artificiale dhe gjëja më e çuditshme ishte se bëhej fjalë për një trup gjeometrik perfekt. Këndet ishin të mprehta dhe tejmase të drejta dhe nuk kishte asnjë dyshim se bëhej fjalë për një objekt të krijuar nga ndonjëlloj makinerie. Për më tepër, mendohet se kubi mund të jetë pjesë e një instrumenti më të madh.
Misteri i burrit nga Rhodesia
Në vitin 1921 zbulimi i një kafke në Rhodesia nxorri në pah një mister tejmase të çuditshëm. Kafka ishte shpuar nga një objekt i shpejtësisë së lartë, të njëjtë me plumbin. Ky është një fakt misterioz pasi ekzaminimet kanë provuar se kjo plagë është bërë në momentin e vdekjes, jo më pas. Kjo tregon se kushdo që ka shkrepur plumbin fatal, e ka bërë këtë shumë e shumë vite përpara. Në librin e tij "Sekretet e Racave të Humbura", shkrimtari Rene Noorbergenka ka cituar: "Ekspertiza mjeko-ligjore e autoritetit gjerman në Berlin ka deklaruar se dëmi i kafkës nuk mund të jetë shkaktuar nga asgjë tjetër përveçse një plumbi".
Fakti që kafka është gjetur rreth 100 metër nën sipërfaqen e tokës, provoi edhe më tej se nuk bëhej fjalë për një dëmtim të kohëve të fundit dhe ekspertët mbetën të shokuar. Në këtë pikë konkluzioni duket mëse i qartë: "Kjo është një provë se në kohët e konsideruara tepër të hershme për jetën inteligjente, kjo krijesë është qëlluar nga një armë e shpejtësisë së lartë që ka krijuar në kafkën e tij një vrimë të rrumbullakët perfekte"
Kompjuteri antik
Një nga zbulimet më të rëndësishme që jep evidenca të pakontestueshme përsa i përket njohurive të mëdha të njerëzve në antikitet, është pajisja e quajtur "Antikythira". Ky mekanizëm misterioz i bërë nga një sërë ingranazhesh dhe rrotash lidhëse u gjet në mbetjet e një anijeje në ishullin grek Antikythira
Menjëherë u duk qartë që bëhej fjalë për diçka të jashtëzakonshme dhe pavarësisht se ishte gërryer mjaft nga deti, ekzaminimet radiografike treguan prezencën e një instrumenti të precizionit të lartë dhe jashtë mase kompleks. Një tabelë diferencialesh me ingranazhe të ndërlidhura ishte prova e nivelit të avancuar të zejtarisë së atëhershme. Por çfarë ishte?
Në fillim ekspertët hamendësuan se ishte një instrument lundrimi, por investigimet e detajuara treguan se bëhej fjalë për diçka shumë më tepër komplekse. Disa ngjashmëri të caktuara me disa instrumente astronomike më të vonshme çuan drejt konkluzionit që mund të ishte një planisferë, një mjet kalendarik që jep me saktësi pozocion e yjeve dhe planeteve gjatë gjithë vitit. Disa mbishkrime të tjera, fatkeqësisht të dëmtuara nga koha, dukej se i referoheshin pozicioneve zodialale me një shkallë përpikmërie të mahnitshme që normalisht kërkon ekspertizë të konsiderueshme.
Fakti më i çuditshëm është se mbeturinat e anijes ku është gjetur ky mjet i avancuar duket se i përket viteve 100 para lindjes së Krishtit. Kjo krijoi tronditje të menjëhershme. Një lloj zejtarie kaq e rafinuar ka qenë e panjohur në atë kohë, madje ka qenë e tillë deri në shek XVI, sipas historisë botërore. Papritmas, ky zbulim i jashtëzakonshëm ngriti pyetje shumë të rëndësishme. Në mënyrë që të ekzistojë një instrument i precizionit kaq të lartë, gjithashtu duhet të ketë ekzistuar edhe një metodë e sofistikuar prodhimi, por deri në atë moment nuk ishte zbuluar asnjë evidencë që mund të provonte këtë teori.
Pyetja kryesore është: çfarë mund të bëjmë me pajisjen Antikythira? A është vetëm një çudi arkeologjike, një rebelim i thjeshtë i kronologjisë së vendosur, apo përfaqëson një thesar të madh të një teknologjie të pashpjegueshme antike? Sipas opinionit të ekspertëve, ky instrument e vendos në mënyrë kategorike teknologjinë e asaj nën një dritë tërësisht të re. Jemi duke parë me sy diçka që nuk duhet të kishte ekzistuar para 1500 vjetësh dhe përsëri kemi mbetur të shtangur nga zbulimet e mahnitshme që shfaqen nga boshllëku i madh i njohurive që kemi për këto epoka të hershme. Por, cilido qoftë kuptimi dhe funksioni i pajisjes Antikythira, nuk duhet të harrojmë se përfaqëson vetëm një gur të çmuar në kurorën e zbulimeve të mahnitshme që janë shfaqur.
Pajisja e lashtë elektrike
Veçanërisht e çuditshme është evidenca e një pajisjeje elektrike të lashtë. Duket se është përdorur në kohën antike në të njëjtën mënyrë që ne përdorim sot energjinë elektrike. Një zonë veçanërisht e pasur me prova të pësaj pajisjeje është Babilonia dhe Persia e lashtë. Zbulimi i disa vazosh prej argjili të zhgroposura në Irak thanë provën e një zbulimi të mahnitshëm. Secila nga vazot duket se ishte salduar dhe lidhur me aliazh dhe u ishte vënë në krye një disk bakri të ngulur me bitum. Ekspertët gjithashtu zbuluan me anë të studimeve se miksimi i sulfatit të bakrit dhe acidin acetic u ishte shtuar vazove për të prodhuar rreth 2 volt elektricitet.
Gjatë viteve janë gjetur disa burime të tjera energjie, sikur të kishin qenë pjesë e një industrie të prodhimit masiv. Një tjetër zbulim i mrekullueshëm i rëndësisë së madhe është përdorimi i lashtë i arit të galvanizuar, një teknikë që është zbuluar shumë vonë në kohët moderne.
Llamba të çuditshme
Evidenca e shkruajtura bë letërsinë mistike Hebreje, tregojnë për një burim të çuditshëm energjie dhe për llamba që "ndezin veten". Gjithashtu, të çuditshme janë edhe historitë e lundruesve të shekullit të kaluar. Shumë detarë kanë përshkruar disa lloj llambash sferike të varura nga vendasit në zonat e xhunglës së Arikës së Jugut. Këto llamba me sa duket janë vet-buruese dhe përdorin një lloj burimi energjie të pamundur për t'u shpjeguar.
Në vitin 1601, një shkrimtar spanjoll dhe eksplorues, i cili ka ndjekur edhe zbuluesit e Amerikës së Jugut, ka shkruar për një lloj shtylle të çuditshme nga ku ndriçonte një objekt i bardhë që bënte dritë për të gjithë zonën rrethuese goxha të madhe.
Historiani antik dhe shkrimtari Pausanias ka shkruar dikur rreth një tempulli me një dritë që ndriçonte vazhdimisht për të paktën një vit rresht. Edhe më shumë ngacmuese janë të dhënat e zbulimit të një varri të Pallasit afër Romës. Thuhet se varri ndriçohej në brendësi nga një burim drite që e ka mbajtur të ndriçuar dhomën për më shumë se dyqind vjet.
Njohuritë mjekësore
Disa njohuri jo të zakonshme të hershme rreth procedurave mjekësore janë gjithashtu një aspekt tjetër i botës antike. Ndoshta evidenca më e pabesueshme e këtij lloji, është zbulimi i një numri të madh kafkash që i përkasin periudhës Neolite, të cilat duket se janë trepanuar.
Në librin e tij "Kolonia e Tokës", autori Richard Mooney shpjegon procesin në këtë mënyrë: "Trapani në ditët e sotme është një ndërhyrje gjatë së cilës një pjesë e kockës së kafkës hiqet ose për të lehtësuar presionin e shkaktuar nga një tumor apo mpiksje gjaku ose për të hequr cifla kockash të shkaktuara nga ndonjë frakturë të kafkës. Më pas hapësira mbyllet me një pllakë. Operacioni është mjaft i ndërlikuar dhe kërkon aftësi shumë të mira dhe kujdes të jashtëzakonshëm për t'u kryer. Është e vështirë të besosh se një njeri i kohës Neolitike, i cili mendohet të ketë qenë ekstremisht primitiv, mund të ketë kryer këtë lloj operacioni të ndërlikuar me teknika primitive, me anë të thikës së strallit, pa anestezi dhe pa asnjë nocion higjene".
Por, çudia më e madhe është se mesa duket të mbijetuarit e këtyre ndërhyrjeve kanë jetuar edhe shumë vite më pas. Kjo është diçka e jashtëzakonshme pasi edhe në kohët jo shumë të largëta, pacientët që i nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale kishin një shkallë shumë të lartë vdekshmërie për shkak të infeksioneve dhe helmimit të gjakut.
Zbulimet në Bashkimin Sovjetik
Një evidencë veçanërisht e mirëdokumentuar e kirurgjisë antike të kafkës na vjen nga studimet dhe eksplorimet e bëra gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik.
Ekzaminimi i një numri të madh kafkash të gjetura në Ishtikunuy afër liqenit Sevan në Armeni, treguan një teknikë jashtëzakonisht shumë të zhvilluar të kirurgjisë së kafkës të përdorur mbi 4000 vjet më parë. Një pacient kishte vuajtur nga një dëmtim serioz i kokës dhe mendohet se kishte patur një pjesë të madhe të indeve të trurit të ekspozuara. Pavarësisht këtyre vështirësive, kirurgët e asaj kohe kanë arritur të mbyllin shumë mirë frakturën duke i vendosur një kockë kafshe me formë perfekte trekëndore. Nga mënyra se si indet e pacientit kishin rrethuar kockën e kafshës, mund të thuhej me bindje se gruaja i kishte mbijetuar operacionit dhe kishte jetuar shumë vite të tjera.
Shkencëtarët sovjetikë kanë zbuluar gjithashtu evidenca edhe më të mahnitshme për sa i përket kirurgjisë të drejtpërdrejtë të trurit. Është zbuluar se një grua është operuar me sukses pasi i ishte hequr një objekt i madh sa një gisht, i cili i ishte ngjeshur në kokë. Objekti kishte penetruar direkt në tru. Në mënyrë të pabesueshme, kirurgët e asaj kohe kishin qenë të aftë të prisnin pjesët anësore të objektit, të hiqnin mbeturinat e mbetura para se ta mbyllnin plagën përsëri duke përdorur kocka kafshësh. Edhe në këtë rast pacienti kishte mbijetuar.
Duke admiruar aftësitë e jashtëzakonshme të këtyre kirurgëve të hershëm, shkencëtari Prof. Jagharian ka vërejtur: "Duke marrë parasysh mjetet primitive me të cilat kanë punuar këta kirurgë, mund të them se kanë qenë shumë herë më të aftë teknikisht se kirurgët e kohëve moderne".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

"Mbreti i Shkrepseve", merrte kredi nga Amerika për tia dhënë Europës


Të Shtunën, më 12 Mars 1932, Andre Kostolany ecte në rrugën e njohur të Parisit Champs-Elysées. Francezët ishin grumbulluar për të marrë pjesë në lamtumirën e presidentit të shtetit Aristide Briand, që kishte vdekur. Kostolany, që dikur kishte qenë më shumë një njeri praktik se sentimental, shfrytëzoi rastin që të ndalej me dillerat e tij të bursës të ndodhur në Champs-Elysées, pasi ai në atë kohë të shtunave bënte veprime në bursë, edhe pse e kishte dy orë larg.
Kostolany ishte i habitur, se si tregtia ecte aq ngadalë. Vetëm në një vlerë ndodhte të kishte xhiro jashtëzakonisht të larta, në atë të aksioneve të fabrikave të shkrepëseve të famshme suedeze: "Kreuger & Super Aksionet" - Ivar Kreuger (1880-1932). Por çfarë ishte dhe më e habitshme, ishte se megjithë xhirot e larta kursi nuk ndryshonte. Kostolany ishte atëherë mjaftueshëm profesional për të njohur se çfarë ndodhte. Bankat u përpoqën dukshëm në favor të Kruegerit, duke vepruar që kursi i aksioneve të mos binte nën një shumë të caktuar pavarësisht valës së shitjeve. Por mbështetja për shitjet duhet të ishte shumë më e shtrenjtë.
Çfarë nuk dinin as Kostolany e as bankat mbështetëse ishte se në këtë moment, Ivar Kreuger shtrihej mbi shtratin e tij në apartamentin e tij në Paris jo shumë larg Champs-Elysées - me një plumb pistolete në zemër. Vdekja e sipërmarrësit të famshëm botëror të dikurshëm u mbajt e fshehtë zyrtarisht një gjysëm dite, megjithëse depërtoi goxha informacion nëpër rrethin "interesant", që donin të përfitonin nga kjo gjysëm dite ende me një Kreuger zyrtarisht të gjallë, por faktikisht të vdekur, duke spekulluar me shitjet e aksioneve.
Vdekja e Kreugerit dhe shkatërrimi përfundimtar i grupit sipërmarrës të tij ishin ngjarjet që zotëronin kryeartikujt e shtypit botëror të asaj kohe. Të thënat ishin nga "gazeta më e madhe e botës" (Time Magazine), dhe deri sapo dolën në sipërfaqe edhe disa teori konspiracioni ku në kundërshtim të të dhënave zyrtare të policisë pariziene nuk kishte pasur në asnjë mënyrë një kryerje vetëvrasjeje, por një porosi vrasjeje mbrapa shpine nga njerëz vetullngrysur. Argumentet pro dhe kundra të disa tezave nuk mund të listoheshin dhe të gjykoheshin në këtë pozicion. Fakti qëndronte që Kreuger zotëronte arsye për t'u asgjësuar, por që edhe shenja të tjera flisnin për një vetëvrasje.
Ivar Kreuger u lind më 2 Mars të 1880-ës në Kalmarin suedez, si biri i një fabrikanti të shkrepëseve. Familja në origjinë quhej Kröger dhe në shekullin e 17 lëvizën nga Mecklenburg - Gjermania veriore - për në Suedi. Në rininë e tij, ai tregoi performancë të jashtëzakonshme në studime dhe u diplomua në moshën 20-vjeçare si inxhinier minierash. Më pas, ai përshkroi kilometra të tëra për shumë vite nëpër botë si p.sh. për në Amerikë (ku ai shpëtoi një vajzë të re nga Mississipi), për në Afrikën e Jugut (ku ai drejtoi ndërtimet e hoteleve më të mëdha në botë asokohe), Indi, Meksikë dhe Britaninë e Madhe. Më në fund, Kreuger u kthye në Suedi dhe themeloi atje bashkë me mikun e tij Paul Toll, firmën e ndërtimit Kreuger & Toll. Në vitin 1913, ai mori përsipër të drejtonte grupin e shoqërisë të babait të tij, i cili kryesisht bazohej në prodhimin e shkrepëseve, që atëherë ishte një degë prodhimi me fitim. Kreuger e rindërtoi shumë më mirë shoqërinë, por si një njeri me famë botërore, ai do të njihej nga aftësitë e tij si financier.
Pas Luftës së Parë Botërore, bota financiare dukej thjesht kështu: Në Amerikë kishte shumë para, ndërsa në Europë kishte mangësi të mëdha valute dhe sistemi bankar e kishte të vështirë të menaxhonte nga një anë kreditë e këqija dhe nga ana tjetër të fitonte besimin e depozituesve. E parë në retrospektivë, Kreuger për këtë situatë zhvilloi një ide të thjeshtë e intriguese. Ai do ta vendoste veten në pozicionin e bankave dhe do të thithte para nga Amerika, të cilat do t'ia jepte hua shteteve të rrënuara të Europës në formë kredie, pra do të luante ndërmjetësin e kredive amerikane për shtetet e rrënuara europiane. Me këto transaksione parash, Kreuger nuk do të kishte qëllim fitimi. Por ai do të orvatej për diçka tjetër. Shtetet kredimarrëse europiane do t'i mundësonin atij të qenurit monopol i markës së tij të shkrepëseve për një kohë të gjatë në vendet e tyre përkatëse.
Shumë shtete ranë dakord me kërkesën e Kreugerit, ndryshe ato zor se do t'i arrinin dollarët aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm për nevojat e tyre financiare. Kreuger pas kësaj pune kontrollonte tre të katërtat e tregut botëror të shkrepëseve. Njëri prej kredimarrësve ishte edhe Mbretëria Gjermane, që i ishte siguruar nga Kreugeri një shumë prej 125 milionë Dollarë. Edhe pas rënies së Kreugerit dhe Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u soll korrekt me kredinë për dhjetëra vite dhe respektoi në të njëjtën kohë edhe monopolin. Për këtë arsye, në republikën gjermane deri në vitet '80 kishte vetëm shkrepëse "Welt-Hölzer".
Volumi total i kredive të dhëna nga Kreuger, shteteve të Europës, arriti në shumën 387 milionë dollarë, që me vlerën e sotme është baras me 30 miliardë Euro. Borxhlinjtë më të mëdhenj të Kreugerit ishin: Mbretëria Gjermane (125 milionë Dollarë), Franca (75 milionë Dollarë), Hungaria (36 milionë Dollarë) dhe Polonia (32.4 milionë Dollarë). Por plan-biznesi i madh i Kreugerit nuk do të shkonte mirë gjithmonë: Ai i kishte dhënë shteteve të Bashkimit Sovjetik një kredi mbi 1 miliardë dollarë dhe kishte formuar edhe një grup bankar, por në fund Stalini e shkeli me këmbë.
Nga jashtë ky lloj biznesi dukej të funksiononte jashtëzakonisht mirë. Grupi i sipërmarrjes së Kreugerit u rrit aq sa përbëhej nga rreth 400 shoqëri si-motra, të cilat nuk kishin si aktivitet vetëm prodhimin e shkrepëseve, por edhe miniera, prodhim letre dhe shkrirje e përpunim metalesh. Kreuger posedonte edhe banka dhe pyje të mëdha. Bizneset e tij ku ai spikaste si një financier ndërkombëtar i zoti, e bënë atë një njeri të famshëm, dhe ai hynte e dilte në sallone të tilla si në ato të Shtëpisë së Bardhë, Pallati Elysee apo në Berlinin e kancelarit gjerman. Suedezi zotëronte një personalitet të fortë dhe vepronte në mënyrë shumë të hijshme dhe bindëse. Kreuger zotëronte shumë ndërtesa të këndshme dhe ndiqej ngado nga mediat, të cilat ndër të tjera kalonin edhe në spekullim në lidhje me të dashurat e tija - Kreuger qëndroi gjatë gjithë jetës i pamartuar që prej ndarjes nga jeta të të dashurës së tij kur ai ishte i ri.
Por modeli i biznesit të Kreugerit pati një problem, pasi në krizën ekonomike botërore të viteve '30 u bë gjendje akute. Investitorët amerikane nuk ishin aq pro kredive të dhëna shteteve europiane, kredibiliteti i të cilave u dukej atyre me pikëpyetje. Kjo pati si pasojë që një pjesë të kredisë të planifikuar nga Kreuger të mos jepej. Kështu, ai filloi që të vendoste në banka pasuritë e kompanive të tij si garanci apo kolaterale për kreditë.
Grupi i sipërmarrjeve të Kreugerit filloi gradualisht të bëhej shumë i errët për llogaritë e arkëtueshme që kishte dhe ishte jotransaprent në transaksionet financiare. Një sekretare e Kreugerit tregonte njëherë se si shefi i saj vetëm në një pasdite kishte përpiluar tre raporte biznesi të kompanive simotra, vetë me dorën e tij. Ndërkaq, ajo vuri re se si brenda sipërmarrjeve të tij kishte zhvendosje parash si në një sistem "piramidal" apo edhe ishin bërë transaksione fiktive. Por, ndërsa suedezi në bërthamën e biznesit të tij synonte fitime të larta prej kohësh me shkrepëset, bankat e tij në të kundërt duken jo dhe aq mirë. Nga ana tjetër, një klient kaq i madh nuk duhej mërzitur shumë me kontrolle financiare dhe zbatime rigoroze të principeve të kontabilitetit. Kreuger, atëherë emëron si parimin kryesor të biznesit: "Heshtje, më shumë heshtje dhe akoma më shumë heshtje për të palarat e grupit të tij që shtoheshin dita ditës".
Kriza ekonomike botërore e gjeti Kreugerin rëndë, por ai ia doli që për ca kohë të fshihte vështirësitë e grupit të tij, ndërkaq ai kryente pagesat e dividenteve në rënie nga burime të tjera. Nëse "Time Magazine" duhet të kishte të drejtë, ai mbërtheu edhe kredi të tjera. Kështu, ai duhet të mashtronte vetë një klient për një kredi shtetërore italiane për 143 milionë Dollarë. Përveç kësaj, shumë shtete tregonin se si në këtë krizë nuk ishin më në gjendje të paguanin kreditë e akorduara nga Kreuger. Pas një "vizite" të fundit në SHBA, Kreuger u nis për në Francë në fillim të Marsit të vitit 1932. Atje e prisnin përfaqësues të bankave për të folur me të për gjendjen e kompanive të tij. Por, ndërsa bankierët prisnin Kreugerin, suedezi la në banesën e tij një shënim - sipas teoricienëve konspirative ky ishte një mashtrim - me fjalët "Tani mirupafshim dhe faleminderit. I.K." Pak mbas kësaj, ai ishte i vdekur.
Kur vdekja e Kreugerit u njoftua, aksionet ranë bashkë të gjitha si shtëpi prej letre. Kompania mëmë Kreuger & Toll pak javë më vonë do të duhej të shpallte falimentin, dhe si përfundim do të bëhej e ditur që Kreuger kishte falsifikuar bilancet. Dëmi total kapi shifrën më shumë se një miliardë Dollarë, dhe çfarë e çoi në fund ishte se pasuria e Kreugerit më shumë u shpërdorua se sa falimentoi nga kreditë e dhëna shteteve europiane.
Shumë bashkëkohës të Kreugerit zor se e kapnin se rënia e tij rezultonte nga mashtrimet dhe jo nga lëkundjet e kohëve të këqija ekonomike. Afro tre dekada më vonë, Kostolany shkruante në gazetën "Zeit": U shokova më shumë, ndërsa unë nuk e njihja Ivar Kreugerin për mashtrues, kur e shfaqi si të tillë shtypi botëror. Ideja kryesore e bizneseve të tija ishte e rregullt dhe korrekte. Ai u zhgënjye nga ngjarjet dhe u bë viktimë e rrethanave. Publiku humbi miliarda, por gjithsesi përgjegjësia nuk i duhet ngarkuar vetëm proçeseve të kundraligjshme financiare, por edhe sjelljeve politike dhe financiare në Europën Qendrore".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Të krijosh jetën, a nuk është puna e Zotit?

Jeta është shumë më tepër se thjesht shuma e atomeve, është në mënyrë të paevitueshme e lidhur me frymën hyjnore. Për njerëzimin mund të jetë shok, fakti që shkencëtarët duan të krijojnë jetë artificiale

Krijimi i jetës është puna e Zotit. Thellë në psiqikën njerëzore, pavarësisht shpjegimit reacional fizik dhe kimik, ekziston një sens që thotë se biologjia është diçka më shumë. Është shumë më tepër se thjesht shuma e atomeve që lëvizin dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, është në mënyrë të paevitueshme e lidhur me frymën hyjnore, me esencën e jetës. Për njerëzimin mund të jetë shok fakti që shkencëtarët duan të krijojnë jetë artificiale.
Nëse do të uleshe në një tavolinë për të krijuar një jetë njerëzore nga zero, me shumë mundësi nuk do të merrje J. Craig Venter si model. Nuk do të zgjidhje ta vendosje krijesën tende në rrezik për t'u prekur nga Alzajmeri, pasi Venter është i predispozuar të rrezikohet nga ai. Me siguri do të pëlqeje të zgjidhje sytë e tij të shndrritshëm bojëqielli, si për ngjyrën e mrekullueshme, ashtu edhe për largpamësinë e tyre. Patjetër që edhe truri gjenial do të ishte një zgjedhje mjaft e mirë edhe pse kolegët e tij e konsiderojnë arrogant.
Është ironike që një organizëm jo perfekt si Venter, t'ia ketë kushtuar karrierën e tij kuptimit të mekanizmit të organizmave të tjerë. Ai ka qenë lideri i një apo dy skuadrave që në vitin 2000 renditën genomën njerëzore, një "manual" prej 25.000 genesh që përcakton se jemi njerëz e jo zogj, kafshë apo pemë. Po të njëjtën punë më pas e kanë kryer me qindra organizma të tjerë. Por, 61-vjeçari Venter, ndoshta ka arritur të bëjë diçka më intriguese, më inovative dhe më shokuese se kaq. Sipas një artikulli të publikuar ditët e fundit nga gazeta "Science", ai ka shkuar përtej renditjes së thjesht të genomeve dhe ka dizenjuar, madje ka ndërtuar një të tillë. Me fjalë të tjera, ndoshta ka arritur të krijojë jetën.
Megjithatë, të përkufizosh atë çfarë ne quajmë jetë është bërë argumenti më i nxehtë i viteve të fundit. A jemi të gjallë? Sigurisht që po. A është i gjallë një virus? Ndoshta. Edhe sot, gati gjysëm shekulli pas zbulimit të spirales së dyfishtë, asnjëri nuk vë në dyshim faktin që AND-ja është ajo që përcakton se çfarë jemi ashtu si linjat e kodeve përcaktojnë software-in dhe sinjalet muzikore në një CD përcaktojnë muzikën që dëgjojmë. Vendos sinjale të reja dhe do të dëgjosh një këngë të re. Kjo, në terma gjenetike, është ajo çfarë ka bërë Venter. Duke punuar me katër nukleotidet bazë që krijojnë AND-në (adenine, citozina, guanina dhe timina) ai ka krijuar një kromozom tërësisht të ri për të gjeneruar kështu një krijesë të re njëqelizore. Vendose këtë genom në një qelizë, ashtu siç vendos një CD në kompjuter dhe do të krijosh qenie të reja njerëzore. Venter nuk e ka bërë ende këtë dhe për këtë arsye as ai vetë nuk e pranon që ka "shpikur" jetën. Megjithatë, ka demonstruar diçka shumë të rëndësishme, nëse një genom transplantohet nga një qelizë ekzistuese tek një tjetër, ai do të shkatërrojë programimin e mëparshëm gjenetik për të krijuar një tërësisht të ri. Përderisa kjo teori ka funksionuar me një kromozom të "grabitur" nga një krijesë e gjallë, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se do të funksiononte edhe me një kromozom të krijuar vetë. "Fakti se kjo gjë tashmë është e mundur, është kthyer në një lajm shokues për pjesën më të madhe të njerëzve", thotë Venter.
Ky nuk është aspak ekzagjerim. Genomi në laboratorin e Venterit, i cili ndodhet në Rockville, Md., mund të revolucionarizojë gjenetikën duke prezantuar një rend të ri botëror në të cilin alkimia e jetës ndërrohet në një projekt mekanik. Genomet e krijuar nga njerëzit mund të krijojnë specie të reja që gjenerojnë ilaçe për të kuruar sëmundjet fatale, vaksina tejet efektive madje edhe qeliza që kthejnë energjinë diellore në biokarburant.
Të krijosh këto organizama të vogla "njëpërdorimëshe" nuk është aq komplekse sa të krijosh krijesa më të mëdha shumëqelizore, pra krijesa me aftësi lëvizëse, sjellje, qëllim dhe fytyrë. Këto gjëra të vështira dhe të tmerrshme janë shumë vite larg dhe domosdoshmërisht mund të jenë tepër shqetësuese për shoqërinë për t'u lejuar. Ajo çfarë me sa duket ka bërë Venter megjithatë, është të zbërthejë kodin prodhues. Kur arrin të bësh këtë, nuk ka më limite rreth asaj çfarë mund të ndërtosh.
Ka qenë gjithnjë evidente që Venter do të kthehej në një figurë transformuese, veçanërisht kur ka qenë një djalë i ri. Ai nuk ka qenë kurrë një student i shkëlqyer madje autobiografia e tij e publikuar në vitin 2007 "Një jetë e dekoduar", përfshin edhe dëftesat e shkollës së mesme të mbushura me katra dhe me pesa. Ai gjithashtu, kujton me krenari se si testonte durimin e prindërve dhe pilotëve të aeroportit ndërkombëtar të San Franciscos kur bashkë me një shokun e tij bënin gara me biçikletë për t'ia kaluar avionit që bëhej gati të ngrihej në pistën e fluturimit. Në vitin 1967 ai shkoi në Vietnam ku ishte caktuar të punonte në spitalin e marinës.
Si shumica e njerëzve që përjetojnë luftën nga afër, Venter u kthye në shtëpi i ndryshuar. Ai donte të studionte mjekësi dhe pasi mbaroi kolegjin u fut në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Pas diplomimit në vitin 1972, zbuloi se ishte dashuruar pas biokimisë dhe vendosi të kryente studimet pasuniversitare. Më pas u punësua në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) në Uashington.
Aq i entuziazmuar sa ishte për punën e tij, ambiciozi dhe mendjehapuri Venter u fut në kurth nga "ferri i burokracisë", siç e quante ai dhe i lindi përsëri dëshira e madhe për të patur mundësi të testonte idetë inovative që kishte për të transformuar botën e gjenetikës. Në vitin 1992 ai siguroi fonde private për të krijuar kompaninë e tij, Institutin e Kërkimeve Genimike në Rockville. Brenda tre vitesh ai arriti të përfundonte renditjen e parë në histori të genomit të një organizmi të tërë, Haemophilus influenzae, bakteri që shkakton meningjitin. Kompania e tij shumë shpejt u kthye në epiqendrën e të gjithë projekteve dhe kjo ndodhi shumë kohë më parë se Venter të synonte çmimin më të madh në biologji: hartën e genomit njerëzor. Në vitet 1990 një projekt i tillë ishte i paimagjinueshëm, një mozaik kompleksitetesh që përfshin përcaktimin e vendndodhjes dhe funksionit të çdo geni të genomit njerëzor, disa prej të cilëve mund të përmbajnë mijëra e mijëra nukleotide.
Por, tashmë Venter ka shpikur një mënyrë të jashtëzakonshme për të automatizuar procesin duke programuar disa superkompjutera për të regjistruar çdo shkronjë të çdo fragmenti të ADN-së dhe më pas duke bashkuar të gjithë fragmentet me njëri-tjetrin në një mënyrë të thjeshtëzuar dhe të parashikueshme. Nëse faqja e një libri do të grisej në copa të vogla, mund të ringjitej përsëri me lehtësi nëse grisjet do të bëheshin në vende të paracaktuara, për shembull pëpara cdo fjale "dhe". Sistemi i krijuar nga Venter funksiononte pak a shumë në të njëjtën mënyrë dhe në vitin 1998 ai parashikoi me krenari se duke përdorur këtë metodë, të cilën e quante renditja shotgun, do ta mbaronte hartën shumë më shpejt dhe më lirë në krahasim me tentativën prej 3 bilionë dollarëshe të financuar nga qeveria dhe të drejtuar nga Dr. Francis Collins.
Për të qenë i sigurt se nuk do t'i mungonin burimet e duhura për të arritur qëllimin për të cilin mburrej aq shumë, Venter u bashkua me gjigantin botëror të teknologjisë, Perkin-Elmer, duke formuar kështu kompaninë e re të quajtur Celera, emër i marrë nga mesi i fjalës "accelerate" (përshpejtoj). Venteri i përkrahur nga Celera dhe Collins i përkrahur nga NIH tentuan më kot që të gjenin gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar dhe gjatë dy viteve pasuese të dy kampet punuan me egërsi duke bërë shpeshherë në konferenca për shtyp për të komentuar se metoda e kujt ishte më e mirë dhe shpikjet e kujt ishin më gjeniale. Collins përqeshi planin e Venterit për të krijuar një database të genomit, harta bazë e të cilit do të jepej falas (siç kishte planifikuar edhe NIH), por do të duhet të paguante kushdo që e dëshironte këtë hartë të detajuar dhe të analizuar.
Në vitin 2000, Venter mbajti premtimin e tij duke e përfunduar punën përpara Collins, por një zyrtar i qeverisë që i njihte të dy burrat sugjeroi një "armëpushim" ndërmjet dy grupeve, në shpresën për të zbehur armiqësinë, duke bërë një prezantim të përbashkët përpara Shtëpisë së Bardhë në vitin 2000. Presidenti Bill Clinton e paraqiti përfundimin e hartës së genomit si "harta më e rëndësishme dhe më e jashtëzakonshme e krijuar ndonjëherë".
Kohët e arta nuk zgjatën shumë. Tek Celera, interesi i madh për një database falas dhe publik nuk rezultoi aspak ide e mirë midis aksionerëve të kompanisë dhe vetëm dy vjet pas ceremonisë së Shtëpisë së Bardhë, Venter u pushua. Për ngushëllim, ai vendosi të japë dorëheqjen. Pasi vazhdonte të ishte një aventurier entuziast, vendosi të merrte pjesë në një plan gjigant, udhëtimi i H.M.S. Challenger, anija që në vitin 1870 drejtoi misionin e parë botëror për të marë kampjone të jetës në oqeanet e botës. Venter do të udhëtonte nëpër të gjithë globin bashkë me një skuadër shkencëtarësh dhe marinarësh dhe çdo 320 km do të zhyteshin në thellësi të ndryshme të oqeanëve për të filtruar çdo shenjë jete që notonte (kryesisht ato mikroskopike) dhe do t'i merrte ato për t'i analizuar në laboratorin e tij të ri, Institutin J. Craig Venter në Rockville. Për dy vjet e gjysëm, nga udhëtimi u zbuluan më shumë se 6 milionë genesh të reja dhe 400 specie të reja mikroskopike. "Shumica e njerëzve mendonin se oqeani ishte një supë homogjene", thotë Venter. "Por 85% e specieve të gjetura nga ne ishin unike".
Ndërkohë që endej midis anijes dhe laboratorit, Venter ishte duke përpunuar një tjetër projekt shkencor po aq gjigant dhe potencialisht revolucionar: krijimi i jetës në laborator. Ndërmjet gjithë organizmave që ai dhe skuadra e tij renditën në vitet drejt genomit njerëzor, ishte Mycoplasma genitalium, një bakter i rrezikshëm, shinjestra e të cilit është e dukshme nga emri. Ky organizëm, genomin e të cilit skuadra e renditi në vitin 1995, ka një nga kromozomet më të vogla të njohura të çdo gjallese vet-riprodhuese, vetëm 485 gene. Ajo çfarë e mundonte Venterin në atë kohë ishte pyetja se sa genome minimalisht i duheshin një organizmi për të mbijetuar dhe për t'u riprodhuar? Nëse arrin të kuptosh këtë, atëherë mund të përcaktosh telajën bazë të AND-së së gjithë qenieve të gjalla dhe më pas ta përdorësh këtë zbulim për të krijuar një version tëndin dhe tërësisht të ri të jetës.
Një dekadë më parë, e vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse një mikrobi i nevojitej një gen i caktuar ishte që të hiqje çdonjërin nga 485 një nga një dhe më pas duke i kombinuar dhe të shihje nëse mbijetonte. Megjithatë, deri në vitin 2002, evolimi i kuptimit gjenetik dhe teknologjisë kishte përparuar dukshëm. Në vend që të shpërbënin mikrobin Mycoplasma genitalium, skuadra e Venterit mund ta ndërtonte atë nga e para. Pra, në vend që t'i hiqnin atij pjesët një nga një për të përcaktuar se cili gen e mbante në jetë, ata mund ta ndërtonin duke i shtuar nucleotide dhe duke pritur se kur "do të ndizej", me fjalë të tjera duke krijuar jetë.
Megjithatë, kjo metodë nuk është edhe aq e lehtë. Nukleotidet e AND-së mbahen me njëra-tjetrën nga perla të vogla të futura brenda një fije por, për shkak të strukturës së saj kristalore, kjo fije duket më tepër si xham. "Edhe duke përdorur metoda të thjeshta si për shembull duke thithur pjesët jashtë, rrezikon ta thyesh", thotë Venter. Edhe pse është shumë i vogël për botën mikroskopike, genomit të mycoplasmës i duheshin më shumë se 580.000 nukleotide për t'u krijuar.
Në këtë mënyrë, Venter vendosi t'ia nisë me gjërat e vogla, me një ose dy gene për të vazhduar më pas në këtë mënyrë për t'i bashkuar bashkë duke krijuar pjesë më të gjata AND-je. Por, vetëm veprimi i thjeshtë i bashkimit të tyre u kthye në një sfidë të vërtetë pasi fijet shpesh shkëputeshin nga njëra-tjetra. Përderisa adenina lidhet vetëm timinën dhe citozina vetëm me guaninës, skuadra duhet ta përfundonte çdo fije me një nukleotid që do të mund të lidhej me atë që do të krijohej më pas.
Kjo lloj metode me sa duket funksionoi. Skuadra e Venterit jo vetëm që arriti të krijonte mycoplasmën e tyre personale në laborator, por arritën edhe të ndryshonin strukturën e saj gjenetike. Në fillim ata prezantuan një mutacion që do të parandalonte atë të shkaktonte sëmundje. Më pas, kanë arritur të krijojnë pesë versione të ndryshme duke manipuluar kodin gjenetik. Venter refuzon t'i publikojë ato duke thënë se biologjia molekulare nuk është ende gati për t'i studiuar, por premton se nuk është bëhet fjalë për një eksperiment kundër etikës njerëzore. Hapi tjetër që mund të bëhet brenda disa muajve është të vendosin njërin nga këto gene në një qelizë për të parë nëse me të vërtetë mund të krijojë jetë. "Kjo skuadër po vë bast me reputacionin e saj se kjo do të ndodhë shumë shpejt", thotë Venter.
Jo çdokush mendon se ai do t'ia dalë, ose edhe nëse ia del nuk do të jetë diçka kaq e jashtëzakonshme. Gjigantët korporativë si Du Pont tashmë e kanë vendosur biologjinë sintetike në përdorim industrial. Fabrika e kësaj kompanie në Loudon e për shembull, biliona bakteresh E. Coli ruhen nëpër rezervuare masive. Genomi i bakterit përmban 23 alternime të ndryshme që përdoren për të shndërruar misrin në sheqer dhe për të prodhuar diolin propan, një lloj poliestre e përdorur për të bërë tapete, veshje dhe plastikë. Bakteret punëtore prodhojnë çdo ditë 45 milionë kilogram të materialeve dhe e vetmja gjë që duhej për t'i kthyer këto armiq të shëndetit në miq të industrisë ishte në modifikim i vogël i genomit të tyre, jo ndërimi i një të riu. "Nëse më pyet a ka diçka që mund të bëj me një kromozom të tërë sintetik, të cilën nuk mund ta bëj tani, përgjigjja është jo", thotë John Pierce, zv.president i teknologjisë në Du Pont Applied BioSciences.
Ish-armiku (ndoshta dhe armiku i ardhshëm) i Venterit, Collins, grupi i të cilit gjithashtu po punon rreth krijimit të geneve sintetike, tregon me zë të lartë këtë dyshim: "Supozojmë se kam një mal me mbeturina në oborr dhe dua t'i heq", thotë ai. "Mund të kalojnë muaj derisa të shpik një pajisje për të mbledhur mbeturinat, ndërkohë që mund të modifikoj korrësen e barit që kam në shtëpi. Pse të mos zgjedh rrugën më të shkurtër?"
Venter e pranon se kjo teori është e saktë nëse ke një vizion të kufizuar shkencor. Ai nuk është i vetmi antikonformist. "Tashmë jemi gati të kalojmë në anën tjetër", thotë Jay Keasling, një bioinxhinier në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. "Teknologjia po fillon të zbatohet dhe është çmenduri të vazhdojmë të bëjmë biologji në të njëjtën mënyrë që e kemi bërë deri më sot".
Megjithatë, pasi ia ka dedikuar të gjithë karrierën e tij dixhitalizimit, revolucionimit dhe standardizimit të biologjisë, edhe Venter pranon se mund të ekzistojnë disa aspekte të jetës që thjesht nuk mund të kuptohen dhe në këtë pikë duhet t'i përulesh asaj që ai e quan "misteri dhe madhështia" e qelizës. Ky pohim ndoshta është mënyra e një shkencëtari për t'iu përulur madhështisë hyjnore. Njeriu nuk është gati të bëhet Zot.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

 

Opinione

Reportazhe

Sex,dashuri,intimitet

Copyright 2010 Tetova Observer. All rights reserved.
Themes by Ex Templates Blogger Templates - Home Recordings - Studio Rekaman